Pasi kaluan tre ditë nga përmbytja e Tiranës, Biblioteka Kombëtare njofton për pushtimin nga uji të një prej sallave në katet e nëndheshme.
Të dhënat flasin për 12 mijë njësi me libra revista dhe gazeta të lagura nga uji. Në hapësirën depozituese të koleksioneve bibliotekare e prekur nga përmbytja ishin kryesisht tekste shkollore dhe botime të 15 viteve të fundit.
Vetë drejtuesit e institucionit thonë se këto koleksione nuk ruheshin sipas kritereve profesionale pasi ambientet janë të pamjaftueshme.
Si në rastin e rënies së zjarrit në Marsin e 2017-ës, përsëri në katet e nëndheshme, edhe këtë herë kamerat e televizioneve nuk janë lejuar të xhirojnë në hapësirat e pushtuara nga uji.
Të dhënat e ofruara nga shtëpia më e madhe e librit në vendin tonë referojnë për një tharje deri në 70 për qind të njësive bibliotekare të dëmtuara, ndërkohë që pjesa tjetër është nderë nëpër sallat e institucionit për tu tharë.
Biblioteka Kombëtare garanton se fondi i vlerave të rralla, arkivi i librit dhe i periodikut shqip nuk është prekur nga përmbytjet.
Për të dytën here brenda 15 muajve Biblioteka Kombëtare shpall gjendjen e emergjencës. Këtë herë do të qëndrojë e mbyllur deri në fund të Qershorit në përpjekje për të rikuperuar gjithë materialet e dëmtuara dhe përllogaritjen e dëmit të shkaktuar nga vërshimi ujit në katet e nëndheshme të saj.