Parlamenti i Kosovës i hapi dritën jeshile unifikimit të doganave mes Shqipërisë dhe Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan një rezolutë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore.
Për këtë rezolutë të propozuar nga deputeti Visar Ymeri nga PSD kanë votuar 67 deputetë, një ka qenë kundër dhe një abstenim.
E ndërsa Kosova e ka hedhur hapin e parë për unifikimin e sistemit doganor, Shqipëria mbetet në vend në numëro.
Në parlamentin e Shqipërisë nuk ka kaluar ende një rezolutë e tillë për të bërë realitet deklarimet e kryeministrit Rama dhe homologëve të tij kosovar, të cilat janë angazhuar për këtë çështje në të gjitha mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.
Aktualisht, niveli tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është në stadin e Zonës së Tregtisë së Lirë dhe dallimi i këtij stadi me nivelin e Unifikimit Doganor, është se në të parën ndodh reduktimi me shkallë i detyrimeve doganore dhe heqja e barrierave tarifore mes shteteve përkatëse.
Në rastin e Unifikimit Doganor, ka edhe tregti të lirë mes shteteve anëtare, ashtu edhe detyrime doganore të unifikuara mbi mallrat e vendeve që nuk janë të përfshira në Unifikimin Doganor.