Xhavit Shala, ekspert për çështjet e sigurisë i ftuar në studion e Report Tv, në prag të konferencës kundër ekstremizimit të dhunshëm, flet si u shmang sulmi terrorist ndaj kombëtares izraelite në Shkodër, në nëntor 2016.
Sipas tij, ajo ngjarje, nëse nuk do ishte parandaluar në kohë nga shërbimi inteligjent shqiptarë dhe ai i Kosovës, do kishte pasoja të tmerrshme.
Ishte një operacion i shkëlqyer i agjencive shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë. U përgëzuan deri në Uashington. U arrit të shmangej ajo që do ishte një ngjarje e tmerrshme dhe nuk dihej si do kishim përfunduar. Nuk ka asnjë shtet në botë që të jetë i garantuar ndaj terrorizmit, as SHBA, as vendet e Europës.
Vetë zhvillimi, globalizimi, lëvizja e lirë e njerëzve, kanë gjithë ato gjëra të mira, por shoqërohen edhe me masa shtesë për të parandaluar, kufijtë të hapur por të sigurtë. ISIS po shkon drejt fundit në territoret ku janë, por ata kanë një plan B, një plan C dhe depërtojnë përmes emigrantëve.
Xhavit Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë
Ai solli në vëmendje se mjaft shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova kanë luftuar për Shtetin Islamik (ISIS). Sot në Tiranë do zhvillojë punimet Konferenca kundër ekstremizmit të dhunshëm e pjesëmarrjen e ekspertëve të sigurisë nga rajoni dhe bota.