Albert Veliu dëshmitari që akuzon Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ai është paraqitur rreth orës 10 të paradites dhe ka dhënë sqarime në zyrën e prokurorit Përparim Kulluri, i shoqëruar nga dy përfaqësues ligjor te Partisë Demokratike. 51-vjeçari u pyet si person që ka dijeni mbi audiopergjimin e bërë publik nga Partia Demokratike ku pretendohet se ai komunikon me vëllain e ministrit për trafikimin e një sasie kanabisi.
Veliu dha sqarime për mënyrën se si është bërë ai përgjim, nëse ka dijeni dhe kohen kur ka ndodhur biseda. Ndërsa pasditen e të enjtes Albert Veliu është marrë në pyetje nga prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Genci Qana, i cili po heton kallëzimin e bërë nga Agron Xhafaj për zyrtarët e Partisë Demokratike që bënë publik materialin.
Mësohet se 51-vjeçari i ka qëndruar dëshmisë së bërë publike tashmë se personi që ai komunikon është vëllai i ministrit dhe se ai nuk ka dijeni se nga kush është bërë ai përgjim. Ndërsa Agron Xhafaj pretendon se nuk është zëri i tij në atë bisede dhe çdo gjë është e montuar. Kjo është shtëpia e Veliut në Vlorë në lagjen Topana. Prej disa ditësh aty nuk ka asnjë person. Familja e dëshmitarit është larguar dhe nuk dihet destinacioni i saj. Fqinjët thonë se ishte familje e qetë.