Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Matit në 5-vjetorin e shpalljes së Liqenit të Ulzës, Park Natyror. Ministri Klosi tha se kjo festë tradicionale, historia dhe bukuria natyrore janë vlera, të cilat nuk mund të mbeten kurrsesi të fshehura, po duhet të jenë motive për të shndërruar zonën në destinacion turistik.
Një lundrim në liqenin e Ulzës është preludi i lançimit të projektit Ulza Eko Park. Në 5- vjetorin e shpalljes së Liqenit të Ulzës, Park Natyror, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, deputeti i qarkut Dibër, Ilir Beqaj, dhe ambasadorë të huaj në Shqipëri udhëtuan me skaf nëpër liqen nga Shkopeti në Ulëz. Në sheshin qendror të qytezës, në një atmosferë festive edhe në vigjilje të festës së Shën Markut, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për krijmin e Ulza Eko Park, modeli i parë i destinacionit ekoturistik.