Tarifa për kalimin në Rrugën e Kombit nuk do të rivendoset deri sa qeveria të gjejë një zgjidhje për banorët e Kukësit që janë dhe frekuentuesit më të shpeshtë dhe që preken më së tepërmi nga tarifimi. Kryeministri Rama dhe ministri i Infrastrukturës Gjiknuri kanë zhvilluar një bashkëbisedim përmes platformës së bashkëqeverisjes me banorë të Kukësit ku ka kërkuar ndjesë që nuk iu kushtua vëmendja e duhur informimit të banorëve të këtij qarku për sistemin e posaçëm të parashikuar për ta.
Rama thotë se skema e dakortësuar me kompaninë koncesionare është e tillë që nuk i prek banorët që përdorin transportin interurban dhe garanton se bileta nuk do të rritet për autobusët dhe furgonat që përshkojnë Rrugën e Kombit.
"Nëse 5 Eurot janë llogaria që s'i shmangemi dot se nuk e mirëmbajmë dot. Ka një diferencim mes atyre që e përdorin shpesh. Përpjekja u vazhdua sepse asnjë ekspert nuk ta thotë se nëse rruga nuk mirëmbahet degradon. Gabimi ynë është që nuk matëm impaktin që do kishte vendosja e tarifës. Me autobus dhe furgon biletat nuk do rritet pagesa, do e mbulojë Bashkia".
Përveç gjetjes së zgjidhjes për rrugën, Rama iu premton kuksianëve dhe hapjen e aeroportit që siç thotë do jetë funksional vjeshtën e këtij viti.
Kryeministri i kthen përgjigje dhe kryebashkiakut demokrat të Kukësit i cili i kërkon të lirohen 11 protestuesit që u lanë në burg nga Gjykata.
"Kryetari i Bashkisë s'ka kërkuar falje. Thirrja për të liruar të arrestuarve shkon në adresë të gabuar se sistemet janë të ndara. Atij i them jo vetëm që s'jam tërhequr nga asnjë thjesht, po bëjmë një proces për ta zgjidhur. Kam dhënë prova që unë dëgjoj dhe reflektoj".
Për zgjidhjen e problemit të tarifës së rrugës, Rama foli dhe në seancën plenare të cilën opozita e bojktoi. Por mungesa e deputetëve të opozitës nuk e pengoi të flasë për ta duke i akuzuar që po përpiqen të përdorin popullin duke përdorur gjuhën e ndasisë krahinore. Ndërsa tha se këto përpjekje kanë lidhje me frikën e tyre nga drejtësia, dhe këtu bën një paralajmërim të fortë.
"Ata kanë frikë nga ajo që po vjen, jo nga drejtësia e në përgjithësi, por ajo që pritet të ndodhë pas pak".