Deputetët e shumicës mblodhën Komisionin Parlamentar për çështjen ?Tahiri? megjithëse anëtarët e opozitës nuk ishin të pranishëm. Nënkryetarja e komisionit Ermonela Felaj tha se kjo mbledhje ishte caktuar që në përfundim të takimit të një jave më parë.
Ajo ka paraqitur planin e saj të hetimit ku ndër të tjera ka kërkuar thirrjen si dëshmitar të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha për një kabllogram të ish-ambasadorit amerikan Withers të vitit 2009 të publikuar nga Wikileaks.
Pas mbledhjes ka reaguar kreu i këtij komisioni Edi Paloka, i cili është shprehur se thirrja e komisionit pa lejen e tij është skandal i Ramës me zbatimin e ligjit. Paloka thotë se në këtë mënyrë Kryeministri ka privatizuar edhe Parlamentin shqiptar duke u dhënë urdhër deputetëve të tij, që duke shkelur ligjin të uzurpojnë drejtimin e një komisioni hetimor që është kërkuar nga opozita.