FIER-Në qendër të qytetit në mes të ditës rreth orës 11:00 është grabitur një pikë këmbimi valutor. Ngjarja përfundoi me dy të plagosur rëndë nga përleshja, ndërsa të tre autorët janë arrestuar. Ata janë; Zini Fyraj 37 vjeç, banues në Sevaster Vlorë me precedent, Lulëzim Demiraj banues në Vajzë Vlorë dhe Dashamir Gergali 41 vjeç, banues në Zhupan Fier. Autorët, dy janë futur brenda në pikën e këmbimit duke u përleshur me pronarin, ndërsa i treti i priste jashtë me makinë për t?u larguar. Gjatë përleshjes, njëri nga autorët qëlloi me armë zjarri automatik duke plagosur dy persona, pronarin e pikës së këmbimit Gëzim Hoxha 64-vjeç dhe të afërmin e tij, Agur Venozi 53-vjeç (pronar i godinës, që kishte me qira Hoxha).
Pas përleshjes autorët morën çantën me para dhe u larguan me makinë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatrave të Fierit, por arratia e tyre nuk ka zgjatur për shumë minuta. Ata braktisën mjetin dhe u larguan me vrap në këmbë, por 30 minuta pas grabitjes fillimisht është kapur Zini Fyraj pranë fshatit Baltëz. 37-vjeçari u hodh në lumë, por nuk i ka shpëtuar arrestimit. Policia i sekuestroi edhe çantën me para, që grabitën në pikën e këmbimit valutor.