Opozita paralajmëron radikalizim të aksionit të saj politik pas protestës së 27 Janarit. Nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka thotë se përballja deri në largimin e Kryeministrit Rama do të vijojë me forcë në shesh dhe parlament. Hapi ekstrem që mund të ndërmarrë opozita është djegia e mandateve të deputetëve, një propozim ky i bërë më herët nga ish-Kryeministri Berisha.
"Me radikalizimin e protestave, në varësi të mënyrës së reagimit të Ramës dhe qeverisë, absolutisht shpejt kjo qeveri do të bjerë. E gjithë kjo masë njerëzish që janë tashmë në revoltë, një ditë do të shpërthejnë dhe uroj që të mos jetë nga ato shpërthimet me të cilat është mësuar Shqipëria, fatkeqësisht".
Marrëveshja e arritur pak ditë më parë mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme për Palokën është thellim i paligjshmërisë së qeverisë, e cila sipas tij, po tenton kapjen e sistemit të drejtësisë. Ndaj dhe atakimi i saj në Kushtetuese, sipas tij, nuk pritet të sjellë ndonjë reflektim nga ana e qeverisë.
"Djegia e mandateve do të thotë të jemi vetëm një hap larg konfliktit civil. Pas djegies së mandateve nuk ka më çfarë të bëjë opozita, përveçse të thërrasë popullin dhe të përballet me një qeveri, që thashë, e ka humbur legjitimitetin. Me një parlament që nuk ka legjitimitet, kjo do të çojë në situata aspak të këndshme".
Fryma e protestës së 27 Janarit shoqëroi edhe seancën e kaluar plenare. Përballja në aulën e parlamentit kundër qeverisë është edhe detyra që Lulzim Basha i dha një ditë më parë deputetëve të opozitës në mbledhjen e Grupit Parlamentar, edhe për këtë të enjte.