TEPELENE - Nga gërmimet e dy ditëve në fshatin Dragot të Tepelenës, ka shkuar në katër numri i skeleteve të ushtarëve grekë të zbuluar, të cilët kanë rënë në luftën italo-greke në vitin 1940-1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Punimet për zhvarrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë janë inspektuar këtë të martë edhe nga konsulli grek i Gjirokastrës, Vasileos Tolos.
Ndërkohë në Dragot kanë mbërritur edhe disa media të rëndësishme greke si Alpha TV apo dhe ERT, për shkak të ndjeshmërisë që ka shkaktuar në opinionin grek gjetja e eshtrave të ushtarëve grekë.
Në zonën Tepelenë, Këlcyrë dhe Përmet janë zhvilluar luftime të ashpra mes grekëve dhe italianë dhe dyshohet se përgjatë kësaj zone ndodhen mjaft varre të ushtarakëve. Krahas Dragotit edhe në Ballaban dyshohet se janë katër varre të ushtarëve të lartë grek.
Mediat greke vlerësojnë të jenë varrosur rreth 6800 ushtarë. Sipas marrëveshjes paraprake, në varreza do të vendoset mbi çdo varr një kryq ose një simbol kombëtar me përmasa të përcaktuara. Në rastet që nuk do të ketë identifikim të eshtrave, ato do të vendosen në formatin mural pa emërtim.