Pas situatës së krijuar në Gjirokastër ku një pallat 5-katësh rrezikon të shembet dhe të lërë në qiell të hapur 20 familje, prokuroria nis hetimet për rastin.
Po hetohen për akuzën e shpërdorimit të detyres dy zyrtarë të Bashkisë së qytetit të gurtë. Vullnet Tola i cili mban detyrën e përgjegjësit të zyrës së Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik dhe Aleksandër Pesha inxhinier në Bashki nuk kanë kryer siç duhet detyrën në këtë rast.
Nga veprimet e para hetimore dy zyrtarët nuk kanë mbikëqyrur ndërtimet në zonën ku ka rëshkitur toka e cila ka rrezikuar pallatin. Sipas ekspertëve, në afërsi të pallatit është ndërtuar një godinë dy katëshe e cila është bërë shkak për rëshkitjen e tokës.
Pikërisht gërmimet e kryera kanë sjellë si rezultat çarjen e tokës e për pasojë ka sjellë dëmtime në pallat duke e bërë të rrëzikshëm për jetët e qyterarëve që jetojnë aty.
Pas situatës së krijuar një pjesë e familjeve u larguan nga aty duke u sistemuar tek të afërm të tyre.