Është shoqëruar me debate të forta Komisioni i Ekonomisë, ku shkak është bërë Kryeprokurorja e Përkohshme. Anëtarja e djathtë në komision, Jorida Tabaku, ka vijuar të këmbëngulë se kryeprokurorja është e emëruar dhe varur nga kryeministri Edi Rama.
Tabaku i cilësoi vendimet dhe largimet e saj në radhët e organit të akuzës si politike, por këtu ka ndërhyrë menjëherë kryetari i komisionit, socialisti Erjon Braçe, i ka sfiduar hapur ish-kryeprokurorët e larguar në rrethe, duke thënë se nëse ata kanë regjistruar një procedim penal ndaj kryebashkiakëve, do të japë dorëheqjen.
Tabaku: Nëse qeveria kishte një nxitim kaq të madh për të zgjedhur një kryeprokuror të njëanshëm, veprimet e saj që nga 18 dhjetor e deri më sot tregojnë se ajo është e emëruar nga kryeministri dhe varet prej tij për të bërë presion mbi dosjet e krimit, që PD i denoncon prej vitesh. Sot ajo po merr vendimet që i interesojnë Ramës.
Braçe: Kryeprokurori i Përkohshëm është emëruar në përputhje me ligjin, e certifikuar kjo nga SHBA dhe BE.
Tabaku: Pse nuk bëtë Vettingun?
Braçe: Unë e kuptoj shqetësimin tuaj, që burri dhe gruaja nuk do iu zgjidhen më prokuror e gjyqtar. Si nuk iu bën përshtypje që ai institucion, qendror i Akuzës, kishte lënë prokuroritë kyç në persona të komanduar dhe jashtë afatit. Si ka mundësi të rrijë për më shumë se një vit një kryeprokuror i komanduar.
Nëse ju më thoni tani që në Prokurorinë e Durrësit është regjistruar procedim penal ndaj kryebashkiakut të Durrësit unë jap dorëheqjen dhe largohem nga ky komision. Në diktaturë prokurori të bënte gjëmën.