http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Vlora, një nga qytetet me numrin më të madh të shpërthimeve me tritol, mund të ishte bërë sërish skemë e një eksplozioni, nëse policia nuk do të sekuestronte dy mina me sahat.
Një 26-vjeçar nga qyteti bregdetar u arrestua nga agjentët, pasi gjatë kontrollit në makinën tip Benz iu gjetën dy pajisjet shpërthyese.
Operacioni i koduar ?packages? çoi në pranga 26-vjeçarin Roberto Hodaj. Ai kishte bërë gati minat me telekomande, në të cilat bie në sy përdorimi i telefonave të vjetër, që janë thuajse të pagjurmueshëm nga policia.
Pas arrestimit, agjentët kontrolluan edhe shtëpinë e Hodajt, ku u gjetën 7 kg kanabis.
Ende nuk dihet nëse Roberto Hodaj i kishte blerë minat apo i kishte bërë gati ato për shitje. Policia po verifikon lidhjet e tij përmes telefonave celularë, si dhe ka marrë në pyetje të riun. Ky i fundit ka qenë dhe më parë i proceduar penalisht.
Vlora është tronditur shpesh nga atentatet me tritol kohët e fundit: ndër rastet më të rënda ishte ai ndaj 25-vjeçarit Inez Hajrulla në nëntor të këtij vitit të kaluar kur i riu humbi gjymtyrët. Po në nëntor, një tjetër shpërthim hodhi në erë një makinë në pronësi të 42-vjeçares Vejushe Dalipaj.
Ndërsa pak ditë më parë, tritoli shkatërroi thuajse krejtësisht fasadën e një ndërtese që shërbente si mobilieri.