Çdokush dëshiron të vishet bukur, duke i kushtuar rëndësi dhe detajeve më të vogla të pamjes së jashtme. Për këtë arsye, shumë të rinj zgjedhin të punojnë në fushën e modës. Sada Peca, ka rreth një vit që punon si stiliste. Ajo e kuptoi pasionin e saj që në vogëli. Sada kur luante me kukullat si çdo fëmijë tjetër, zgjidhte të krijonte veshje interesante për to. Tashmë Sada ka hapur atelienë e saj të modës, por jo në kryeqytetin ku jeton, por në qytetin e Fushë-Krujës. 22-vjeçarja tregon për Klan Plus arsyen pse zgjodhi që të punojë në këtë vend.
"Tirana tani është bërë si një Shqipëri tjetër dhe tani të gjithë njerëzit po mblidhen aty. Por ideja është që ne duhet të zhvillojmë dhe qytetet e vogla. Mendoj se njerëzit nuk duhet ta kenë këtë tendencën e paragjykimeve për qytetet e vogla sepse një qytet mund të jetë shumë i vogël, por mund të ketë e njerëz shumë të talentuar".
Stilistja shprehet se puna e saj është e lodhshme, por dhe frytdhënëse.
"Rastet ekstreme ka dhe nga ato që kam qëndruar netë pa gjumë. Pothuajse gjithë vera që shkoi, kanë qenë netë shumë të mundishme pune, pagjumësie dhe stresi, por në fund kisha kënaqësinë kur shihja punët e mia të mbaruara".
Sada jo vetëm që po ndjek ëndrrën e saj, por po trashëgon dhe profesionin e familjarëve të saj.
"Këtë gjë e kam të trashëguar nga mamaja, dhe për momentin punoj me të".
22-vjeçarja rrëfen pse ky pasion është i veçantë për të.
"Të vishesh nuk do të thotë të veshësh vetem një T-shirt dhe një palë xhinse. Është emocion, provokim etj? E bukura e saj është se veshja është ajo që të karakterizon ty si njeri dhe impakti i parë i çdo personi.
Ajo shprehet se rrjetet sociale e kanë ndihmuar së tepërmi në punën e saj.
"Ka patur shumë ndihmesë Instagrami, sepse njerëzit kanë filluar të më njohin, të kenë interes ndaj punës time".
Stilistja gjithashtu ka dhe një thirrje për të rinjtë që studiojnë në këtë fushë.
"I shtyj të gjithë ata studentë që duhet të bëjnë çmos ta nisin dhe ta përfundojnë atë që duan të bëjnë".
Burimi: Klan Plus
Gazetare: Xhois Kuta