Prej muajsh kjo është gjendja në të dyja krahët e rrugës kryesore në Valias. Për shkak të mungesës së koshave të mbeturinave, banorët janë të detyruar të depozitojnë plehrat në këtë kanal kullues i cili tashmë e ka humbur funksionin e tij parësor. Edhe të vetmit kosha mbeturinash që arritëm të filmojmë, si për ironi kanë përfunduar buzë kanalit kullues.
Një muaj pas përmbytjes në Valias, edhe si pasojë e bllokimit të kanalit kryesor kullues, pasojat e këtij bllokimi gjenden tashmë mbi rrugë.
Përgjatë gjithë rrugës që lidh Valiasin me zonat e tjera të Kamzës, mungesa e koshave të mbeturinave është zëvendësuar nga pirgje me mbetje. Banorët janë të detyruar t?i hedhin qeset plastike çdo ditë anash rrugës për shkak se nuk kanë zgjidhje tjetër. E në rastin më të keq, mbeturinat përfundojnë mbi kanalin kullues, duke sjellë rrjedhimisht dhe bllokimin e tij. Shpëtimi i vetëm është pastrimi nga punonjësit e bashkisë, të cilët pastrojnë me mjete krahu mbeturinat e hedhura mbi asfalt.
Përveç gjendjes së mjeruar të rrugës ku kalojnë çdo ditë banorët e Valiasit dhe degradimit të kanalit kullues, një problematikë e shtuar është depozitimi i mbetjeve të bagëtive nga thertorja e zonës, në ujërat e kanalit që përshkon të gjithë njësinë.
Banorët të cilët jetojnë fare pranë shprehen se edhe gjatë dimrit situata është e papërballueshme për shkak të aromës së rëndë. Ndërsa në sezonin e verës një shqetësim më vete është përhapja e sëmundjeve.
Banorët: "Ky kanal helmatos të gjithë këtë vend. Për gjithë këtë vend duhet rregulluar një spital në Kamëz që të shtrohemi ne".
"21 vjet që jetojmë këtu, dhe ky kanal është katastrofë për mushkojnat në verë dhe erën e keqe në dimër. Edhe pse e kanë pastruar këto mbeturina nuk durohen, dalin minj e bretkosa. Dritaret nuk i hapim fare as për dimër as për verë me kushtet që janë".
Të shqetësuar, ata janë edhe për fëmijët që luajnë aty pranë, lodrat e të cilëve kanë përfunduar në llumin e lënë pas nga kanali ku bashkohen edhe ujërat e zeza të Valiasit. Vetëm bagëtitë që kullotin aty pranë, nuk shprehin shqetësim lidhur me situatën e krijuar. Në këto kushte, ka mes banorëve edhe nga ata që besojnë tek edukimi dhe sensibilizimi.