Të gjitha shpërblimet prej 5 mijë lekë për lindjen e fëmijëve kanë filluar të jepen nga Bashkia e Tiranës. Ditën e enjte janë hedhur pagesat e prapambetura për lindjen e fëmijëve për më shumë se 70% të vogëlushve në Tiranë.
Bëhet fjalë për pagesat prej vitit 2011 deri në vitin 2015, të cilat nuk ishin dhënë prej vitesh nga bashkia e kryeqytetit. Kur bashkinë e drejtonte Lulzim Basha, pagesat për shpërblimin e bebeve nuk janë dhënë. Në momentin që kryebashkiaku Veliaj mori detyrën, u shpreh se do jepeshin pagesat nga vitit 2015 e mbrapa, duke bërë që fëmijët të cilët kishin lindur në harkun kohor 2011-2015 të mos merrnin shpërblimin.
Akti normativ
Por duket se qeveria ka zgjidhur këtë çështje pasi në aktin normativ të miratuar në fillim të dhjetorit, përpos shpërblimeve të fundvitit, parashikonte edhe dhënien e të gjitha shpërblimeve për fëmijët. Ligji thotë se çdo fëmijë merr një pagesë prej 5 mijë lekë kur lind. Në vitet 2011-2015 kjo pagesë nuk është dhënë në Bashkinë e Tiranës, por edhe në disa bashki të tjera.