Një 32-vjeçar është ekzekutuar me tre plumba në kokë paraditen e së dielës në qytetin e Shkodrës. Angjelin Shkambi u gjet i pajetë në makinën e tij Benz me targa AA 275 BF, rreth orës 11:10, në rrugën që të çon tek varrezat e ?Stom Golemit?.
Viktima, Angjelin Shkambi
Deri në këto momente mbeten të panjohura rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, ashtu sikurse autorët e saj. Autoritetet mësohet se kanë gjetur tre gëzhoja pistolete në vendin ku u ekzekutua i riu, dy prej të cilave në krahun e pasagjerit, ndërsa tjetra jashtë. Kjo ka ngritur dyshimet që autori mund të ketë qenë brenda me viktimën në makinë.
Të dhënat e para tregojnë se 32-vjeçari është një person me precedent penal i akuzuar për trafik lëndësh narkotike dhe vetëm kohë më parë kishte dalë nga burgu me kusht.
Një dëshmitar i tha policisë se kishte parë një burrë duke vrapuar nëpër rrugica. Vetë Shkambi kishte vetëm minuta që ishte nisur nga banesa e tij në Grudë në drejtim të Shkodrës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli dhe po bën krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe grupe të Ndërhyrjes së Shpejtë.