Kryeministri Edi Rama u ka përsëritur disa herë të mërkurën ambasadorëve të huaj, të akredituar në Tiranë, se Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, po aq sa Serbia dhe Mali i Zi.
?Ne jemi shumë të kënaqur që sot Serbia dhe Mali i Zi negociojnë anëtarësimin, por jemi të bindur katërcipërisht, jo me opinion, por me fakte, se ne meritojmë po aq sa Serbia dhe po aq sa Mali i Zi të paktën që të negociojmë anëtarësimin. Ashtu sikurse jemi të bindur se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe për Maqedoninë edhe për Kosovën e për Bosnje e Hercegovinën?, tha Rama në një takim mbajtur me rastin e festave të fundvitit me ambasadorët e huaj të akredituar në vendin tonë.
Kryeministri Rama u kërkoi ambasadorëve të bëhen 'fjalëmirë', që Shqipëria të çelë negociatat me BE-në muajt e ardhshëm.
?Ne sot jemi më afër se asnjëherë çeljes se negociatave për anëtarësim në BE. Dua t?ju përsëris thirrjen time të gjithëve ju, që njihni Shqipërinë nga brenda dhe shqiptarët nga afër, që çdo fjalë e duhur në këtë proces, nuk është një fjalë që e meritoj unë apo qeveria, e meritojnë shqiptarët, që jetojnë këtu apo diku tjetër, për ata që duan të lindin fëmijë këtu, apo të kthehen të jetojnë në këtë vend.?
"Dua të besoj fort se pas këtyre vlerësimeve (nga vizita në Bruksel dhe në disa vend e të BE-së), të merituara besoj, për Shqipërinë, do të vijë edhe ai që është në fakt vlerësimi për të cilin ne kemi kohë që përpiqemi, dhe për të cilin ne kemi arritur të realizojmë edhe Reformën në Drejtësi dhe shumë reforma të tjera, çelja e negociatave për anëtarësim. Dhe nga ana tjetër, dua shumë të besoj se të gjithë ju do të jeni avokatët e shqiptarëve, në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe kaq themelor. Asnjë gjë nuk do të ishte më inkurajuese se sa vendimi që po e përsëris, çelja e negociatave për anëtarësim në BE."
Kryeministri Rama tha se ngelet shumë për t'u bërë në rrugën drejt BE-së, por kujtoi se Shqipëria ka bërë shumë në përmbushjen e kritereve, si me Reformën në Drejtësi, ashtu edhe me luftën kundër kanabisit dhe krimit të organizuar.
Në fund ai nuk harroi edhe Kosovën, si të vetmin shtet në të gjithë kontinentin që nuk lëviz dot lirisht. ?Kosova meriton të ecë në rrugën drejt BE-së përkrah fqinjëve.?/tvklan.al