Saimir Tahirit nuk i lejohet të dalë jashtë vendit. Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e prokurorisë për bllokimin e pasaportës së ish-ministrit të Brendshëm.
Ky është vendimi që është marrë katër ditë më parë, në 9 Dhjetor dhe deputeti është njoftuar këtë të martë për këtë vendim, nëpërmjet mbrojtjes ligjore.
Nuk është e qartë se cilat janë zhvillimet e reja në hetimin ndaj ish-ministrit, që e kanë detyruar Gjykatën të marrë këtë masë shtrënguese. Në vendim thuhet se niveli i dyshimit mbështetet kryesisht në të dhënat e përgjimeve ambientale dhe prania e kushtit të vetëm të veçantë, të lidhur me rrezikun e largimit për ligjin, për gjykatën, vendosjen e masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit.
Avokati Maks Haxhia la të kuptohet për disa mesazhe të dala në media mes një familjari të Saimir Tahirit dhe Orest Sotës, që u kap në Elbasan me 863 mijë euro dhe 2 patenta lundrimi të ish-ministrit.
Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thonë se në dosjen e sjellë nga Prokuroria e Katanias për çështjen Tahiri-Habilaj janë gjetur prova të reja, të cilat e kanë bërë grupin hetimor t?i drejtohet gjykatës për vendosjen e kufizimit në lëvizje.
Menjëherë pas këtij vendimi, një kopje e pasaportës së Tahirit i është dërguar të gjitha pikave kufitare për të mos lejuar kalimin e tij. Ndërkohë që pasaporta origjinale i është bllokuar deri në një vendim të gjykatës.
Tv Klan