Ish-ambasadori gjerman në Tiranë në vitin 1990 kujton se si u hapën dyert e përfaqësisë diplomatike që ai drejtonte me qëllimin që regjimi komunist të rrëzohej. Por ai shpreh keqardhje se 27 vjet më pas shqiptarët ende kërkojnë azil jashtë vendit.
Janë pamjet e 2 Korrikut të vitit 1990 të transmetuara në televizionin gjerman. Pas ekranit teleshikues që shohin të shemben kangjellat e ambasadës së tyre e cila vendos më pas të hapë plotësisht dyert për mijëra azilkërkues politikë. Një tabllo që risjell në Tiranën e vitit 2017 ish-ambasadori gjerman i ditëve të fundit të komunizmit Werner Daum.
?Unë kujtoj që ato ditë shqiptarët kishin hyrë në ambasadën greke dhe në ate italiane. Shpresoja që të vinin dhe tek ne. Kjo ishte shkelje diplomatike dhe në kundërshtim me orientimet që më dha qeveria ime. Qëllimi im nuk ishte që të siguroja largimin e sa më shumë shqiptarëve prej diktaturës dhe një tiranie vrasëse, por doja që regjimi të binte, ky ishte qëllimi im, jam krenar që isha pjesë e suksesit?.
Kanë kaluar 27 vite dhe teleshikuesit gjermanë shohin në ekran sërish azilkërkues shqiptarë nëpër kampe, dhe të tjerë që policia kthen nga aeroportet. Aktualisht në Gjermani janë rreth 14 mijë azilkërkues shqiptare që pritet të riatdhesohen. Tani ish-ambasadori Daum i këshillon shqiptarët që të zhvillojnë ekonomikisht vendin, të shfarosin drogën dhe për disa vite kur vendi të anëtarësohet në BE do të kenë më tepër mundësi punësimi. Për negociatat, sipas Daum, do të ketë një vendim politik në verën e 2018 pavarësisht kushteve.
?Vendimet politike nuk ndërmerren më nga qeveritë, por janë të bazuara në konsensus të gjerë mes elitës dhe ekspertëve ndaj jam i sigurtë që negociatat do të nisin në vitin 2018, por do të marrin më tepër kohë se në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë. Shpresoj që qeveria shqiptare do ta luftojë deri në fund prodhimin dhe eksportin e drogës.