Mesnata e 1 dhjetorit do të vinte e ftohtë dhe e errët për çiftin e moshuar Sefa, banues në fshatin Bërxull të bashkisë së Vorës.
Reshjet e shiut të shoqëruara edhe me erë të fortë, do t?u shembnin pjesërisht shtëpinë e vjetër dhe të vogël anës rrugës, duke rrezikuar t?i zërë brenda.
Jeta nuk është treguar bujare me ta, të cilët përveçse kanë tre djem me probleme mendore, për nga mjerimi, janë personazhe të denjë për poemat e Migjenit.
Me frikën se nga momenti në moment gurët dhe tjegullat mund të na tradhtojnë, futemi brenda dhe rrëzë një oxhaku të improvizuar gjejmë Kadri Sefën, i cili i lodhur nga hallet dhe mosha ngroh duart e kërrusura buzë zjarrit të oxhakut, që është e vetmja flakë shpresë në këto net të gjata dhjetori.
?Më shumë rri pa gjumë gjithë natën, nuk më merr gjumi. Kamë qenë zgjuar kur filloi shembja. Na hy shiu brenda?, tregon i moshuari Sefa.
Në një divan të lagur e të ftohtë, pranë tij qëndron bashkëshortja, Nete Sefa, e cila mes çatisë që fut gjithçka brenda dhe dyshemesë me baltë, është e pafuqishme të ndihet apo të sillet si një shtëpiake.