Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht për sekuestrimin e resortit luksoz ?Santa Quaranta? dhe prova të tjera të Kelmend Balilit në Sarandë.
Policia thotë se regjistrimi penal për Balilin ka nisur zyrtarisht më 3 Prill 2016 për trafik droge, kur u bënë publike hetimet nga pala greke.
Paralelisht me procedimin për trafik narkotikësh, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, ka investiguar dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të dyshuar të këtij grupi, të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktivitet kriminal.
Mbi bazën e këtij materiali, Prokuroria për Krimet e Rënda ka rregjistruar procedimin pasuror nr.5, të vitit 2017, për hetim pasuror për gjithë lidhjet familjare të grupit ?Balili?.
?Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Kelmend dhe Bashkim Balilit, që janë:
- ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht Hotel ?Santa Quaranta?;
- 28,690 m2 truall;
- 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.
Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Grupi ?Balili? është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ?Forca e Ligjit?, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal. E në këtë kuadër, hetimet po vijojnë me intensitet?, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Autoritetet kanë vënë në dispozicion edhe numrat 112 dhe 129 për të telefonuar kushdo që ka informacione të vlefshme për identifikimin dhe zbulimin e pasurive apo aseteve të tjera në pronësi të Balilajve, duke garantuar anonimatin.