Bizneset do të paguajnë më shumë për ndërtesat në pronesi të tyre, ndërkohë që disa dhjetëra familje nuk do të taksohen aspak për shtëpinë ku banojnë. Deputetët e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave kanë bërë dje dy ndryshime të rëndësishme në projektligjin e paraqitur nga qeveria në kuadër të Paketës Fiskale 2018 që ka të bëjë me taksimin e banesave.
Të përjashtuarit
Në draftin qeveritar nuk ishte parashikuar asnjë përjashtim në aplikimin e detyrimit fiskal mbi pronësinë e një banese, i cili, në rastin e qytetarëve do të jetë sa 0.05% të çmimit të ndërtesës. Ndërkohë, që para diskutimeve në Kuvend, në opinion ishin hedhur ide të ndryshme për të vendosur edhe një politikë sociale, të paktën për shtresat në nevojë, të cilat kanë vështirësi për të paguar taksa të reja. Një politikë e tillë, psh, zbatohet edhe në kompensimin e energjisë elekrike, furnizimin me ujë të pijshëm, apo disa taksa vendore.