Kryebashkiaku i Bulqizës Melaim Damzi e cilëson si aksidentale ngjarjen në shkollën e mesme në Shupenzë ditën e sotme. Megjithatë ai thotë se mban përgjegjësi të plotë për atë që ndodhi dhe konkluzionet që do të nxjerrin hetimet. Damzi shpjegon se pardje u bë testimi i kaldajës pa nxënësit dhe ishte në rregull, ndërsa pas ndezjes sot në orën 07:00 u bllokua oxhaku.
Për kryebashkiakun situata aktualisht është vendosur në kontroll. ?Mbaj të gjitha përgjegjësitë. Pardje u bë testimi i kaldajës pa nxënësit në shkollë dhe gjithçka rezultoi se ishte në rregull. Sot kaldaja u ndez në orën 07:00, ndërsa u bllokua oxhaku. Ngritëm emergjencat civile të bashkisë, ndërsa situata në shkollë është vendosur në kontroll? deklaroi ai.
Intervista e plotë e kryetarit të bashkisë Melaim Damzi
Cfraë konkluzioni nxirrni si kryetar bashkie?
Në radhë të parë jam si kryetar bashkie për të marrë të gjitha përgjegjësitë tona për sipër. Kryesorja është që nuk pati pasoja të rënda, situata është vendosur në kontroll. Ne shkuam dhe ngritëm grupin e emergjencave, erdhi edhe policia dhe filluan veprimet. Unë edhe si prind edhe si mjek, kam qenë në dispozicion të punës në ndihmë të mjekëve.
Nëse nxënësit nuk do të kishin qëndruar më shumë në shkollë, do të kishte ndodhur kjo?
Normalisht po të ishin nxjerrë më parë nxënësit nuk do të kishte ndodhur. Kjo është ngjarje aksidentale. Pardje u bë testimi dhe ka funksionuar, edhe dje në darkë ka funksionuar, ndërsa sot sikur duket është bllokuar oxhaku, që ka sjellë edhe pasoja të tjera.
Nxënësit thanë se kanë gjetur ambientin e tymosur?
Kaldaja ndizet në orën 07:00 që kur të vijnë fëmijët ambienti të jetë në rregull të jetë ngrohur. Ajo është një kaldajë moderne, ka zero ndikim në ambient dhe mjedis, është ngjarje aksidentale, policia dhe prokuroria do të nxjerrë shkaqet dhe ne do të mbajmë përgjegjësitë tona nëse do të jetë të nevojshme ato që mund të jenë tonat.