Në Kuvendin e Shqipërisë vijon seanca maratonë ku po diskutohet në parim projektbuxheti. Deputeti i PS, Ervin Bushati në një intervistë për Report Tv në edicionin qendror të lajmeve nga ambientet e Kuvendit deklaroi se ky është buxheti më i madh, ndërsa parashikon investime të shumta dhe rritje ekonomike.
Akuzave të Bashës për futjen e parave të pista në buxhet, Bushati iu përgjigj duke e sfiduar me rastin e rrugës së Arbrit. ?Rruga e Arbrit do të bëhet nga investitorë shqiptarë, nëse Basha mendon se aty do të pastrohen para, le ta thotë?.
Intervista e plotë në Report Tv e deputetit të PS, Ervin Bushati
Mendoj që do të flasin të gjithë deputetët e regjistruar. Buxheti është një skaner i saktë i ekonomisë dhe biznesit dhe pjesëmarrjes së qeverisë në treg. Ky në fakt është një nga projektbuxhetet më të realizuara të ekonomisë shqiptare.
Është buxheti më i madh. Ke parametra shumë të mirë, rritje 4.2%, deficiti gjysma e kësaj. Do të ulet borxhi publik. Paranoja që ka Basha te pastrimi i parave, është e padrejtë dhe e pa logjikuar mirë. Nuk ka lidhje me ekonominë reale, nëse do të kishim këto shifra astronomike, nuk do të merreshim me 2 apo 4% por do të kishim një ekonomi shumë herë më të madhe.
Rruga e Arbrit do të bëhet nga investitorë shqiptarë, nëse Basha mendon se aty do të pastrohen para, le ta thotë. Bankat që janë në Shqipëri janë edhe në Europë, janë të kontrolluara.