Raporti i fundit i Qendrës Europiane të Drogave dhe Varësisë prej tyre e konsideron Shqipërinë një vend prodhues të kanabisit.
Në analizën e bërë për vitin 2017 që përmban të dhëna që prej vitit 2012, thuhet se fenomeni ka njohur rritje e pasyruar edhe në rastet e identifikimit dhe të shkatërrimit të plantacioneve me kanabis.
Raporti citon edhe planin e veprimit që ka ndërmarrë qeveria kundër kanabisit. Sipas shifrave që jep dokumenti, viti 2015 shënoi rekordin e plantacioneve të mbjella dhe rrënjëve të shkatërruara. Për shkak të pozicionit gjeografik, Shqipëria konsiderohet një vend tranzit i trafikut të heroinës. Rrugët kryesore që përdoren janë Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri.
Heroina transportohet në Shqipëri me kamionë, autobusë, makina etj. Destinacionet kryesore të heroinës janë Italia dhe Greqia. Ndryshe nga kanabisi, shifrat e konfiskimit të heroinës kanë qenë disi të qëndrueshme, citon raporti.
Sa i përket kokainës pluhur, thuhet se në Shqipëri ajo hyn në sasi të vogla nëpërmjet korrierëve apo dërgesave postare nga SHBA dhe Amerika e Jugut ndërsa po njeh rritje transporti me anë të konteinerëve. Citohet edhe laboratori i zbuluar në Xibrakë në vitin 2015, droga e të cilit ishte e destinuar për në Gjermani. Drogat sintetike thuhet se nuk janë të shpeshta në tregun shqiptar.
Tv Klan