Liria, ashtu si tregon edhe emri i saj, për rastësi të bukur të fatit, apo zgjedhje të guximshme të saj, ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e fatorinos e lirë, e pakompleksuar nga etiketimet e shoqërisë. Por duket se Liria e ka kapërcyer këtë barrierë, e sot do të flasim me të, pasi përveçse rasti i saj është një model shumë i mirë, ajo; si gjithë fatorinot e tjerë, është pjesë e një sistemi të pasigurt, çka domethënë se profesioni i tyre është zhdukur në shumë shtete duke u zëvendësuar kështu me makineritë e prerjes së biletave. E kjo me siguri s?do vonojë të ndodh edhe në Shqipëri. Ndaj si ndihen ata kur mendojnë për të ardhmen?
E ndër të tjera, fatorinot janë ndër njerëzit e shërbimeve publike më të sulmuar në Shqipëri. Kaq shumë të gjykuar e të përfolur, do përpiqemi të kuptojmë se ku qëndron problemi mes qytetarëve e këtyre njerëzve që marrin qindarka e japin bileta.
Edhe pse është 59 vjeç, Liria vazhdon ti thotë PO punës, edhe pse kjo punë është thjesht një biletaprerës (fatorino në gjuhën e zakonshme). Një punë të cilën e ushtron prej vitesh me dëshirë dhe modesti, ndryshe nga kolegët e saj djelmosha 20 e kusur vjeç, që i shohim shpesh nëpër linja autobusësh apo fugonash, të cilët për të qenë të sinqertë, nuk kanë pikë modestie e mirësjellje... Ndërsa Liria, me flokët e kapura gjithmonë bisht, të cilat i nxjerrin në pah thinjat, dhe duart e vyshkura që mbajnë pa forco biletat dhe lekët e pasagjerëve e ka të lehtë të kuptojë se dikush e merr autobusin edhe kur nuk ka lekë për të paguar biletën. Në këtë mënyrë Liria ka krijuar një personazh shumë të dashur për përdoruesit e linjës së autobusit Kashar e Yzberisht.