Në vitin 2018 -të biznesi i vogël do të përfshihet në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se do të përjashtohen ata që kanë një xhiro vjetore deri në 2 milion lekë në muaj.
"Nga 5 milionë në 2 milionë, kjo do të thotë që përjashtohen ambulantët, tregjet e bashkive, zejtarët".
Në total numri i sipërmarrësve të rinj që do të futen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është 9000. Për t'u ardhur në ndihmë këtyre bizneseve qeveria do të ndryshojë edhe mënyrën se si plotësohet deklarata e TVSH-së, duke e bërë atë njëherë në 3 muaj.
Kreu i Financave tha se vitin e ardhshëm tatimet kanë në projekt realizimin e një sistemi teknologjik, i cili bashkëpunon me kasat dhe ndjek deklarimet e tatimpaguesve.
"Është një proces fiskal teknologjik që i referohemi fiskalizimi dhe do bëjmë vetë, do ta bëjë qeveria vetë".
Prezantimi i taksave dhe buxhetit për vitin 2018-të u bë në prani të bizneseve anëtarë të Dhomës Amerikane. Komentet e tyre ishin të pakta ndërsa kërkuan që paketa fiskale të mbërrijë në kohën e duhur. Për vitin e ardhshëm qeveria projekton që rritja ekonomike të jetë 4.5%.
Tv Klan