Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit Albert Dervishaj deklaroi se jo vetëm për ndërtimin në Vjosë, por për të gjitha rastet do të merren masa të ashpra.
Ai u shpreh se kontrolli i territorit, në të cilin përfshihet edhe ruajtja e mjedisit nga çdo lloj krimi mjedisor, është detyrë dhe përgjegjësi e strukturave të Policisë Vendore.
Policia e Shtetit shkarkoi dhe përjashtoi disa drejtues dhe punonjës për ndërtimin në Vjosë.
Deklarata
U njohët sot paradite përmes një njoftimi për shtyp me masat e marra në fund të një analize të hollësishme, lidhur me mos veprimet e disa strukturave të Policisë së Shtetit, për një tentativë për ndërtim pa leje në grykën e Këlcyrës.
Veç përjashtimit të një punonjësi policie të rolit bazë, i cili është përgjegjës direkt për kontrollin e territorit, janë shkarkuar nga detyra edhe eprorët e tij, drejtues të policisë lokale.
Masat përfshijnë edhe 2 drejtuesit vendore të Policisë së Gjirokastrës, pasi mbi bazën e konkluzioneve të Drejtorisë së Standardeve nuk kanë ushtruar përgjegjësinë ndaj strukturave në varësi për raportimet për kontrollin e teritorit.
Theksojmë këtu se kontrolli i territorit, në të cilin përfshihet edhe ruajtja e mjedisit nga çdo lloj krimi mjedisor, është detyrë dhe përgjegjësi e strukturave të Policisë Vendore.
E masat e ashpra justifikojnë përmasën e problematikës së shfaqur me ndërtimin në zonën e Këlcyrës.
Por ky nuk është rasti i parë, e pa dyshim nuk do të jetë as i fundit, i ndëshkimit të strukturave policore dhe çdo strukture tjetër të implikuar, nëse nuk reagojnë apo heshtin përballë paligjshmërisë, kudo qoftë ajo.