Një shpërthim me eksploziv ka tronditur qytetin e Shkodrës në orët e para të së mërkurës. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 00:50 pranë automjetit tip Volswagen me targa AA 700 IY i cili ka qenë i parkuar në anë të rrugës ?Vaso Kadia? fare pranë qendrës së qytetit të Shkodrës.
Eksplozivi i është vendosur në anësore të automjetit në pronësi të inspektores së Drejtorisë Arsimore Rajonale, Frida Kopliku 60-vjeçe. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur dëme në njerëz, pasi në momentin e shpërthimit nuk ka qenë asnjë person pranë automjetit.
Nga shpërthimi makina është përfshirë nga flakët, ndërsa zjarrfikësja ka arritur në kohë duke parandaluar djegien e plotë të autoveturës. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Fillimisht është dyshuar për një shkëndije elektrike por pasi është këqyrur vendi i ngjarjes, policia ka gjetur një gropë të shkaktuar nga shpërthimi në anë të autoveturës, pranë sediljes së pasagjerit. Sipas policisë eksplozivi i vendosur ka qenë i një sasie të vogël por nuk përjashtohet që lënda shpërthyese të ketë qenë edhe artizanale.