Në qytetin e Burrelit u mbajt përgjatë dy netëve edicioni i tretë i festivalit mbarëkombëtar të këngës epiko-lirike, ku morën pjesë artistë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Arbëreshët e Italisë si dhe mjaft artistë vendas. Fitues të dy netëve të këtij festivali u shpallën grupe nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Natën e parë, juria e kryesuar nga Dilaver Kryeziu dhe me anëtarë Uk Xhemaj, Behar Neli, Mark Gjoka e Jetmir Rexhepi i dha çmimin e madh grupit artistik nga Gostivari, çmimi i dytë shkoi për Matin dhe vendi i tretë për artistët nga Mirdita. ë natën e dytë dhe finale, çmimi i parë shkoi për grupin folklorik nga Drenasi, Kosovë, vendi i dytë për Laçin dhe i treti për Mallakastrën. Kostumografia më e mirë u shpall ajo e grave të Gurit të Bardhë, bashkia Klos.
Moment emocionues ishte ngritja në skenë e arbëreshëve të Italisë. Performimi i tyre ngriti në këmbë të pranishmit në pallatin e kulturës dhe u shoqëruan gjatë gjithë kohës me ovacione. Edicioni i tretë i festivalit mbarëkombëtar të këngës epiko-lirike u organizua në kujdesin e kryetarit të bashkisë Mat, Nezir Rizvani dhe drejtoreshës së Kulturës në këtë bashki, Denisa Vata.