Në procesin gjyqësor ndaj 11 lazaratasve të akuzuar për sulmin ndaj policisë qershorin e 2015 ku mbeti i vrarë oficeri Ibrahim Basha është marrë deshmia Ilirjan Malos, babai i të pandehurit Xhulio Malo.
Ai i tha gjykatës se djali i tij është marrë me dhunë nga policia dhe nuk ka lidhje me sulmin. Malo sqaroi se djali i tij është dhunuar në Policinë e Gjirokastrës ku është marrë në pyetje. Në këtë ambient tha Ilirjan Malo kam dëgjuar të bërtiturat e Xhulios dhe më pas ai është derguar në spital pasi i kishte rënë të fiket nga dhuna. Sipas Ilirjan Malos, i biri ka fimrosur deklaratat pasi është dhunuar fizikisht dhe psikologjisht nga policia.
Nuk është hera e parë që dëshmitarët dhe të pandehurit në këtë proces gjyqësor thonë se kanë firmosur deklaratat nën dhunën e policisë. Eligent Basha i tha togave të zeza se është detyruar për të fajësuar 11 të rinjtë të akuzuar për vrasjen e oficerit të RENEA-s.
Edhe dy dëshmitarët e mbrojtur në këtë dosje janë tërhequr nga deklarimet e tyre të dhëna gjatë hetimit paraprak. Elson Kazma dhe Klodian Selimaj mësohet të jenë shprehur se deponimet i kanë dhënë nën presion.
Tv Klan