Një vendim skandaloz dhe i paprecedentë i Televizionit Publik Shqiptar, që bllokoi trasmetimin live të seancës plenare për të gjithë operatorët televizivë privatë, solli reagime të forta në parlament.
Opozita lëshoi akuza të ashpra, duke përfshirë edhe kreun e qeverisë.
Por edhe vetë Kryeministri Rama e quajti të paligjshëm vendimin e Radio Televizionit Publik.
Kreu i qeverisë bëri edhe një propozim konkret për t?i dhënë fund ekskluzivitetit të transmetimit të seancës plenare nga Televizioni Publik Shqiptar.
Deri disa vite më parë, të gjitha televizionet e prodhonin vetë sinjalin për seancat plenare, me kamerat e tyre që qëndronin në llozhën e Kuvendit. Por shtimi i televizioneve të shumta, shtoi edhe konfuzionin në ambientet e Kuvendit dhe jashtë tij, për shkak të lëvizjeve të shumë gazetarëve, kameramanëve e teknikëve, me të gjitha mjetet e transmetimit.
Për ta shmangur këtë konfuzion, mediat ranë dakord që, meqë Televizioni Publik Shqiptar e prodhonte sinjalin, duke pasur kamerat edhe brenda në sallën e deputetëve, t?ua shpërndante edhe televizioneve publike.
TVSH u tërhoq sot në mënyrë të pabesë nga kjo marrëveshje, pa i njoftuar paraprakisht televizionet e tjera.
Është pikërisht pabesia dhe arbitrariteti i heqjes së sinjalit, që e bën këtë një akt të turpshëm dhe të dënueshëm, pasi TVSH nuk ka asnjë të drejtë më shumë se mediat e tjera për aksesin në punimet e Kuvendit dhe informimin e publikut.
Nëse TVSH do t?i kishte njoftuar televizionet qoftë edhe vetëm 1 ditë më parë, secili prej tyre do të mund ta transmetonte seancën me pajisjet e tij. Por me këtë akt transmetuesi publik i preu në besë televizionet e tjera.
Tv Klan