Prej vitit 2011 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon një listë të bizneseve debitorë të cilat janë objekt i mbledhjes më forcë të borxhit.
Sipas të dhënave zyrtare të institucionit, numri i bizneseve në këtë listë arriti në rreth 18.5 mijë në korrik të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, detyrimet e subjekteve të listës së publikuar në faqen e tatimeve është rreth 78 miliardë lekë (rreth 570 milionë euro).
Në këtë shifër, përfshihen edhe detyrime të papaguara, por që janë objekt i ligjit të fshirjes, i cili i shtrin efektet vepruese deri më 31 dhjetor të këtij viti, pra kjo vlerë do të reduktohet nga aplikimi automatik i fshirjes së disa lloje detyrimesh, bëjnë të ditur tatimet.
Në këtë shifër përfshihen gjithashtu edhe detyrimet të cilat janë në proces ankimi administrativ, efektivisht të siguruara nga garancitë bankare. Së fundi, ndikim në këtë situatë debish japin edhe detyrimet që lidhen me akcizën, por që aktualisht mblidhen nga administrata doganore.