Athina ka reaguar sërish për Himarën. Pas miratimit të planit të ri urbanistik në këtë bashki, i cili parashikon shembjen e disa ndërtesave, Ministria e Jashtme greke ka reaguar duke e cilësuar shkelje të të drejtave të njeriut të minoritetit grek.
Përmes një njoftimi, zëdhënësi i kësaj ministrie ka bërë një paralajmërim të fortë për autoritetet shqiptare, duke i kujtuar se mbrojtja e të drejtave të minoriteteve lidhet ngushtë me procesin e integrimit europian të vendit tonë.
?Autoritetet shqiptare duket se konsiderojnë më të rëndësishme shkeljen e të drejtave të minoritetit grek se sa rrugën europiane të vendit."
Plani rregullues i Bashkisë së Himarës kaloi me 15 vota pro, pas një mbledhje maratone dy ditore, ku nuk munguan përplasjet e këshilltarëve dhe për të shuar situatën u nevojit ndërhyrja e forcave të policisë dhe FNSH.
Debatet për shembjen e disa ndërtimeve që do t?i hapte rrugën zbatimit të planit rregullues të Himarës kanë nisur një vit më parë, kur po me të njëjtin ton kërcënues Ministria e Jashtme greke kërkoi anulimin e vendimit për shembjen e 19 banesave, pasi projekti sipas tyre ishte në shkelje të së drejtës së pronësisë për minoritetet.
Një postim i kryeministrit Rama, ku shfaqej një gravurë e vjetër e Athinës së viteve 1670, shoqëruar me komentin se edhe pse referencat flasin për një qytet shqipfolës, e ndezi me shumë debatin.
Ministria e Jashtme nuk ka reaguar ende për deklaratat e fundit të Athinës. / Tv Klan