Temperaturat e larta dhe erërat vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve të zjarrit në pjesën më të madhe të 15 vatrave të zjarrit në të gjithë vendin.
Angazhimi i 109 forcave zjarrëfikëse, pothuajse po aq punonjës të Gardës, ushtrisë dhe forcave pyjore dhe 24 makina zjarrëfikëse nuk po bën të mundur që situata e krijuar në shumë zonat pyjore vihet në kontroll.
Emergjencat civile lajmërojnë se Parku Kombëtar i Llogarasë është i pushtuar nga flakët duke u përkeqësuar gjatë ditës për shkak të erës së fortë. Për këtë arsye është kërkuar dërgimi një avioni nga qendra e përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në BE. Ndërkohë në Dibër, Elbasan, Berat, Fier e Lezhë janë aktivizuar disa vatra zjarri. Në Shkodër raportohet për një zjarr të rënë në fshatin Lohe, në Bashkinë e Malësi e Madhe, i cili ka djegur një sipërfaqe prej 3 ha me bimë medicinale.
Në fshatin Gizavesh, Bashkia Librazhd, ka rënë zjarr në një banesë duke e shkrumbuar krejtësisht atë dhe duke djegur disa bagëti.
E vetme vatër zjarri e cila është arritur të vihet nën kontroll është ajo në malin e Dajtit ku pas ndërhyrjes së helikopterit flakët nuk janë përhapur.
Por kur panorama nuk është aspak optimiste, një tjetër fakt domethënës jep pak shpresa se me kapacitetet që ka Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrëfikësve të mund t?i përgjigjet situatave të tilla.
Tv klan mëson se plotë 20 bashki nga 61 që ka i gjithë vendi, nuk kanë fare shërbim zjarrëfikësesh, ndaj dhe sytë janë drejtuar nga vendet fqinje ku po kërkohet dërgimi i avionëve për të shuar nga ajri zjarret e shumta që janë shënuar këtë verë.
1.Bashkia Rrogozhinë
2.Bashkia Divjakë
3.Bashkia Cërrik
4.Bashkia Përrenjas
5.Bashkia Ura Vajgurore
6.Bashkia Kamëz
7.Bashkia Vau i Dejës
8.Bashkia Finiq
9.Bashkia Këlcyrë
10.Bashkia Fushë-Arrëz
11.Bashkia Belsh
12.Bashkia Dropull
13.Bashkia Klos
14.Bashkia Konispol
15.Bashkia Libohovë
16.Bashkia Maliq
17.Bashkia Memaliaj
18.Bashkia Pustec
19.Bashkia Roskovec
20.Bashkia Selenicë
TV KLAN