3 të arrestuar, 1 i shpallur në kërkim, kokainë e para të sekuestruara. Është ky rezutati i operacionit antidrogë të zhvilluar mbrëmjen e së martën në kryeqytet.
Në një njoftim të sajin, policia e Tiranës ka dhënë detaje mbi këtë operacion, që çoi edhe në plagosjen e një prej të arrestuarve, pasi nuk iu bind urdhërit të policisë.
Kështu policia sqaron se, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në rrugë operative dispononte informacion se Blendi Peca, Arbër Murati dhe Ardit Murati, qarkullonin në qytet të armatosur dhe ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes në sasi të konsiderueshme të kokainës në zonën e Don Boskos.
Për këtë arsye u organizua operacioni "Përpjekje e dështuar" për kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve.
Blendi Peca është konstatuar nga shërbimet e policisë duke lëvizur me mjetin tip "Citroen", në zonën e Don Boskos. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij për të bërë ndalimin e mjetit.
I është bërë shenja e ndalimit nga punonjësit e policisë të veshur me jelekun multifunksional me mbishkrimin "Policia", por mjeti nuk ka ndaluar, ka kryer manovra lëvizjeje të rrezikshme për jetën e punonjësve të policisë.
Në këto kushte, punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër duke dhënë përsëri urdhër ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për t'u larguar.
Punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë drejtuesi i mjetit, 27 - vjeçari B.P, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjet, është gjetur një sasi kokaine, e cila rezultoi e peshës 385 gramë.
Duke qënë në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll në banesën e Arbër Muratit, ku në dhomën e gjumit është gjetur një sasi kokaine e peshës 50.2 gramë, 10 doza pluhuri kokainë, ngjyrë e bardhë, një dorezë metalike, një sasi vlere monetare në valutë prej 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja, të cilat u sekuestruan.
Për pasojë u arrestuan Blendi Peca, 27 vjeç, banues në Tiranë; Ardit Murati, 24 vjeç, dhe Shehat Murati, 50 vjeç, banues në Tiranë (at dhe bir).
U shpall në kërkim shtetasi; A. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, i biri i Shehatit.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 435.2 gramë kokainë, 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja, mjeti tip " Citroen", peshore elektronike, dorezë metalike.
Veprimet proceduriale u monitoruan nga SHÇBA dhe Prokurori i gatshëm./tvklan.al