Policia e Vlorës ka referuar në Prokurori materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Në vijim të operacionit "Banda e Babicës" ku u sekuestruan 4 ton kanabis, armë gjahu, municion luftarak, mjet lundrues dhe u arrestuan dy persona, policia e Vlorës në një njoftim për mediat sqaron se "operacioni për identifikimin dhe kapjen e pjestarëve të bandës së Babicës, gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike që mund të jetë fshehur nga kjo bandë është në vijim".
Autoritetet kanë vijuar kontrollet në disa objekte dhe prona në pronësi të vëllezërve Habilaj, për kapjen e pjestarëve të kësaj bande, por edhe sekuestrim të lëndës narkotike, pasi dyshohej se në këto objekte mund të kishte sasi të lëndës narkotike të fshehur.
"Policia e Vlorës ka vijuar punën për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale ku ka referuar në Prokurori materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për veprën "Pastrimi i produkteve të veprës penale", për 3 aktivitete biznesi, 5 automjete dhe një mjet lundrues", thuhet në njoftim.
Po në këtë kuadër, policia po bashkëpunon me Drejtorinë e Përgjthshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij grupi kriminal.
"Në lidhje me aktivitetin kriminal të këtij grupi theksojmë edhe njëherë faktin se Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në datën 30 Prill 2017 ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materialet procedurjale për grupin kriminal të njohur si "Habilaj", pas informacioneve të siguruara për aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve".
Gjithashtu, gjatë natës në vijim të operacionit dhe kontrolleve të ushtruara nga policia lokale Vlorë dhe FNSH Fier u arrestuan edhe dy persona.
- U kap një person në kërkim ndërkombëtar. Fredi Hoxhaj, 42 vjeç, banues në fshatin Rromës, bashkia Selenicë. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Gjykata e Catanzaros, Itali për veprat penale ?Shfrytëzim prostitucioni? dhe ?Pjesmarrje në organizatë kriminale?.
- Si dhe gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugore dhe lokalet e natës, në një lokal nate u arrestua Musto Kapaj, 26 vjeç, banues në fshatin Gjorm - Vlorë, për veprën penale ?Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta? pasi ju gjet me vete një thikë./tvklan.al