Pasi qëndroi për më shumë se 1 muaj nën nivelin e 133 lekëve, monedha e përbashkët europiane ka nisur të forcohet .
Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, të mërkurën 1 Euro u këmbye me 133.07 lekë duke shënuar rritje me 0.31 lekë.
Nëse shohim tabelën me të dhenat zyrtare të Bankës Qëndrore, monedha Euro ka njohur kufirin e 133 lekëve këtë të mërkurë, për herë të parë që nga 20 Qershori kur nisi të ishte nën 133 lekë.
Nivelin më të ulët Euro gjatë këtij viti e njohu në datën 27 qershor, 2 ditë pas zgjedhjeve, ndërsa më të lartin ne janar.
Forcimi i Euros ditët e fundit vjen për shkaqe të jashtme. Në tregjet ndërkombëtare vërehet se Euro është forcuar ndjeshëm, duke u këmbyer me afro 1.17 Dollarë nga 1.12 Dollarë që këmbehej në fund qershori.
Pavarësisht rritjes, sipas ekspertëve Euro vazhdon të jetë ende në nivele të ulta në Shqipëri, dhe kjo vjen për shkaqe të brendshme dhe jo thjesht sezonale pasi rënia ka nisur që në shkurt të këtij viti. Një nga arsyet e forta që kanë renditur ekspertët lidhur me nivelin e ulët të euros është si pasojë e sasisë së madhe të euros në tregun shqiptar, përfshirë edhe të ardhurat informale në euro. TV KLAN