http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Takimi në Hamburg mes kancelares Merkel dhe presidentit turk Erdogan, nuk ka ndryshuar asgjë në vendimin e Gjermanisë për tërheqjen e trupave të saj nga baza ushtarake në Inxhirlik të Turqisë. Largimi i pajisjeve ushtarake u konfirmua nga një zëdhënës i Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes. Një grup avionësh luftarakë lanë Inxhirlikun dhe u zhvendosen në një bazë të re ajrore në Jordani, ku do të qëndrojnë deri në tetor, ndërsa pjesa tjetër do të largohet në fund të korrikut. Baza ushtarake gjermane e vendosur ne Turqi shërbente për operacionet ndërkombëtare kundër Shtetit të vetëshpallur Islamik ISIS. Tërheqja e trupave nga Turqia u miratua nga parlamenti gjerman muajin e kaluar. Vendimi erdhi pas mosmarrëveshjeve mes dy palëve. Ato nisën që nga shkeljet pas grushtit të shtetit, e deri tek fushata politike e Erdoganit në Gjermani për zgjerimin e kompetencave të presidentit, gjë e cila u kundërshtua fort nga Berlini zyrtar. Pas mosmarrëveshjeve, Gjermania u detyrua të tërheqë trupat për të shmangur një përplasje me pasoja mes dy vendeve.