http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kjo e diele, është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në garën për kryetar të Partisë Demokratike.
Kandidate deri tani janë drejtuesi aktual Lulzim Basha, i cili pas humbjes së zgjedhjeve politike të 25 qershorit, ka ngrirë funksionet e tij në parti dhe ish-deputeti Eduard Selami. Po ashtu kane depozituar kandidimin edhe Astrit Sinanaj e Erion Piciri, figura të panjohura në aksionin politik të Partisë Demokratike. Ndërkohë që ka deklaruar se është gati të përfshihet në garë edhe ish-kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi.
Pas përfundimit të afatit të regjistrimit të kandidaturave, pritet vendimmarrja nga strukturat e PD-së për çeljen e garës dhe përcaktimet konkrete për fushatën në bazën demokrate të të gjithë kandidatëve. I kontaktuar nga Vizion Plus, nënkryetari demokrat Edmond Spaho tha se të gjitha vendimet e nevojshme që parashikon statuti i Partisë Demokratike do të merren në kohën e nevojshme. Ndërkohë që Sekretari Organizativ Enno Bozdo tha se do të ketë një vendim për filtrimin e kandidaturave. Vetëm një ditë pas zyrtarizimit të kandidaturës Astrit Patozi reagoi përmes një statusi në Facebook, ku vlerëson nevojën për ringritjen e PD-së
?Më vjen mirë që e mendoni si unë nevojën e madhe për ringritjen e Partisë Demokratike. Është e vetmja shtysë që më frymëzon mua dhe shumë kolegë të tjerë, të cilëve u jam shumë mirënjohës, në këtë përpjekje. Kam vetëm një thirrje për ju të gjithë: Ky është një konkurrim brenda nesh, që ka vetëm një synim, garën e ndershme dhe bashkimin e Partisë Demokratike. nuk kemi askënd per të humbur, dhe duhet të marrim gjithkënd për të fituar.?
Gjatë shpalljes së kandidaturës, Patozi vendosi kushte, duke kërkuar më parë garanci për për garë të barabartë, e cila si pikënisje ka dorëheqjen e Lulzim Bashës. Përveç kësaj, kërkohet mbledhja urgjente e kryesisë e cila duhet të anulojë procedurën e nisur për zgjedhjet në PD, të ngre një grup që të hartojë Rregulloren për zgjedhjet dhe vetëm më pas, kryesia të caktojë datën. Megjithatë data e bërë publike, kur do të thirren të gjithë anëtarët e PD-së për të votuar, është caktuar 22 Korriku.