Policia e Tiranës ka nisur hetimin ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Miklovan Kopani 41 vjeç dhe ndaj dy personave të tjerë, M.Z 30 vjeç dhe A.S 35 vjeçe.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nxjerrë një shkresë nr.5402 ?Për shpalljen e fituesve për stafin Civil ne I.E.V.P Shkodër?, i nënshkruar nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe i vulosur me vulën e institucionit shtetëror të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sipas këtij urdhri fiktiv, pretendohej se janë shpallur fitues të një liste me 20 persona për t?u punësuar pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Shkodër.
Policia thotë se urdhri dyshohet se është nxjerrë nga funksionare të lartë në bashkëpunim në kundërshtim me ligjin gjatë kohës në detyrë dhe është përdorur në fushatë elektorale në qarkun e Shkodrës më 15 qershor 2017 duke ju premtuar zgjedhësve vende pune në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se personat ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, duke përdorur vulën e institucionit kanë falsifikuar këtë shkresë, duke premtuar vende pune gjatë fushatës zgjedhore me qëllim përfitime elektorale. Ata akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje e kryer në bashkëpunim. /tvklan.al