Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka prishur kontratën me kompaninë "Hidro srl", për ndërtimin me koncesion të hidrocentralit të Kalivaçit. Kjo kompani që ka në zotërim 100% të aksioneve të firmës Kalivaci Green Energy, është në pronësi të italianit Francesco Becchetti.
Kontrata e lidhur në vitin 1997 parashikonte ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Vjosë, ku pritej të investoheshin 150 milionë euro, por zvarritja e punimeve ka bërë që afatet të shtyhen disa herë.
Të kontaktuar nga Televizioni Klan, zyrtarë të Ministrisë së Energjisë thonë se kontrata është prishur për shkak të shkeljes së saj nga ana e kontraktorit. Sipas tyre për këtë çështje janë vënë në dijeni edhe organet e hetimit.
Të njëjtët zyrtarë thonë se punimet në Kalivaç kanë lënë kantierët hapur prej shumë kohësh.
Për këtë arsye Autoritetet Shtetërore kanë vendsour që koncesionin ta japin të një tjetër kompanie.
Dokumentetet e siguruara nga Televizioni Klan tregojnë se Ministria e Energjisë ka lajmëruar Agjencinë e Prokurimit Publik për të hapur edhe njëherë tenderin.
Formula e koncesionit këtë herë do të jetë e formës partneritet publik-privat dhe do të zgjatë 35 vjet.
Kompania që do të shprehë interesin për të vazhduar këtë vepër do të duhet të përputhë edhe njëherë në planin e fizibilitetit raportet me mjedisin, për shkak të impaktit që ka në florën dhe faunën ndërtimi i HEC -eve në Vjosë.
Tv Klan