Dështimi i negociatave për zgjidhjen e krizës politike në vend nuk shihet aspak mirë në sytë e qytetarëve.
Shkodranët shprehen se mazhoranca dhe opozita në takimet e zhvilluara deri tani në Presidencë duhej të kishin gjetur një zgjidhje në mënyrë që PD të futet Parlament për të miratuar ligjin e Vettingut dhe Shqipëria të zhvillojë zgjedhjet në kushte normale.
Qytetarët ndjejnë keqardhje që Shqipëria ndodhet në këtë kaos politik ndërsa bëjnë apel që qeveria dhe opozita të gjejnë rrugën e zgjidhjes.
Kriza politike që ka përfshirë vendin dhe rrezikshmëria për procesin zgjedhor të 18 qershorit ndjehet më shumë se kushdo tek qytetarët e thjeshtë të cilët kërkojnë që tashmë të gjendet një zgjidhje dhe Shqipëria të mos mbahet peng i kaosit por të vijojë rrugën drejt anëtarësimit në BE.