Ish - Drejtori i Agjencisë Rajonale të Legalizimeve në Lezhë, Pashk Luka, 2 - ish drejtues dhe një specialist janë kallëzuar në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në përfundim, auditimit të kryer për vitet 2014-2016 është konstatuar se në këtë periudhë nga Agjencia Rajonale e Legalizimeve në Lezhë janë kryer legazime në zona të ndaluara dhe janë kryer një sërë shkeljesh të tjera.
Kështu, sipas raportit, Drejtori Luka dhe zyrtarët e tjerë kanë lejuar ndërtime pa dokumentacion afër rrugëve kryesore, lumenjve apo kanaleve kulluese.
Në shumë raste janë kryer procedurat e legalizimit pa arkëtuar taksën e infrastrukturës, po ashtu është miratuar sipërfaqja e parcelës ndërtimore në llojin e pasurisë ?Truall?, duke ndryshuar zërin kadastral.
Në raportin e KLSH thuhet se ka objekte informale, të cilat nuk plotësojnë kriteret ligjore për legalizim, ndërsa në shumë dosje nuk ekziston dokumentacioni, i cili provon periudhën në të cilën është ngritur ndërtimi informal.
Dëmi ekonomik që i është shkaktuar shtetit, sipas KLSH, llogaritet në vlerën e 5,9 milionë lekëve, ndërsa shkeljet e disiplinës financiare në vlerën e 14,3 milionë lekëve.
Tv Klan