Një inspektim i kryer nga Ministria e Financave në Shoqatën e Invalidëve Para-Tetraplegjikëve për periudhën 2006-2016 ka zbardhur një seri abuzimesh e keqmanaxhimi të fondeve për këtë kategori.
Në raportin e inspektimit janë rekomanduar tre masa rregulluese dhe një masë për zhdëmtim dëmi, si dhe kallëzim penal për shpërdorim të detyrës për personat që kanë përdorur fondet buxhetore të shoqatës në shkelje të ligjit.
Inspektimi ka zbuluar se për fondet buxhetore të përdoruara në vlerën 13,400,000 lekë, nga viti 2006-dhjetor 2014, nuk disponohet dokumentacion financiar për shpenzimet e kryera në fakt. Po ashtu, rezulton mungesë në arkë në shumën 170,956 lekë, e pa argumentuar me dokumentacion vërtetues autorizues dhe justifikues.
Nuk janë zbatuar rregullat dhe procedurat e ruajtjes së vlerave monetare, limitet e tërheqjes dhe gjendjes së arkës, sipas akteve përkatëse. Është konstatuar gjithashtu se nuk janë regjistruar dhe pasqyruar në kontabilitet ngjarjet e ndodhura ekonomike, nuk janë hartuar pasqyrat financiare për periudhat ushtrimore, si dhe nuk është mbajtur dhe trashëguar në vijimësi kontabiliteti për veprimtarinë ekonomike të shoqatës për periudhën objekt inspektimi.