VLORË-Një zjarr ka rënë rreth orës 19:30 në ambientet e paraburgimit në Komisariatin e Policisë në qytetin e Vlorës, për pasojë u asfiksua një efektiv i policisë që është jashtë rrezikut për jetën.
Shkak i rënies së zjarrit në katin e dytë të ndërtesës ka qenë djegia e dyshekëve nga të arrestuarit në paraburgim.
Pas një konflikti fizik midis disa personave me rekorde kriminale kanë ndërhyrë forcat e policisë se burgut dhe kanë bërë izolimin e të përfshirëve në konflikt.
Pas kësaj shokët e qelive të personave të futur në izolim në shenjë proteste i kanë vënë flakën dyshekëve të dhomave përkatëse.
Ka përforcime dhe shtim të numrit të policëve në komisariat ndërsa deri tani nuk raportohet për ndonjë tentativë për arratisje.
Ambulanca dhe zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje ndërsa nuk ka të dhëna për të lënduar të tjerë.