Partia Socialiste kërkon verifikimin e të gjithë deputetëve që tashmë ka në grupin e tij parlamentar, por edhe kandidatëve përpara se të vendosë nëse do t?i kandidojë ose jo për mandatin e ardhshëm në 18 qershor.
Sipas letrës së dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme, Edi Rama i drejtohet kryeprokurorit Adriatik Llalla duke i kërkuar verifikimin bazuar në ligjin e dekriminalizimit.
Rama shkruan ndër të tjera në letër, se shpreson që ky verifikim të bëhet përpara datës 29 prill, ditë kur zyrtarisht në KQZ duhet të dorëzohen kandidaturat, dhe kur PS ka thirrur Kongresin Kombëtar për të shpallur listën e kandidatëve të saj.
Sipas shkresës së Ramës ?ky verifikim paraprak ndihmon reciprokisht për të lehtësuar punën voluminoze që duhet bërë nga ana e prokurorisë për verifikimin e kandidaturave të legjislaturës së ardhshme?.