Afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve dhe koalicioneve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 Majit në Kavajë është data 8 Prill.
Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur dhe afatet për regjistrimin e partive politike dhe komisionereve të KZAZ për këto zgjedhje.
Opozita ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve, ndërsa socialistët kanë nisur përzgjedhjen e kandidatëve për garën e 7 Majit, ku më e favorizuar duket Silvana Daja, bashkëshortja e kryetarit të Partisë Socialiste të Kavajës Gentian Daja.
Ky i fundit dha dorëheqjen në fundjave pasi Asambleja e Partisë përzgjodhi bashkëshorten e tij dhe 5 kandidatë të tjerë për t'ia propozuar kryesisë socialiste si kandidatura potenciale për të garuar si zëvendësues të Elvis Roshit, në krye të Bashkisë së këtij qyteti.
Ndërkohë ende nuk dihet nëse në këto zgjedhje Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalin si koalicion pasi marrëveshja e tyre e bashkëqeverisjes përfundon në 22 Prill.
Ndërkohë KQZ i ka dhënë mandatin e deputetit Petrit Gjonit, nga lista shumë emërore e LSI për qarkun e Lezhës, mandat që kjo parti ia merr aleatëve socialistë pas dorëheqjes së Armando Prengës, i cili po hetohej nga prokuroria si subjekt i ligjit të Dekriminalizimit.
Tv Klan