Pandeli Majko mund të rikthehet në qeveri si një prej ministrave që pritet të zëvendësojë një nga emrat të cilët priten të largohen në mbledhjen e kryesisë së të hënës.
Majko mund të jetë ministri i ardhshëm i Brendshëm apo i Jashtëm, nëse konfirmohet ideja për largimin e Tahirit dhe Bushatit, të cilët duhet të merren me mbarëvajtjen e fushatës së Partisë Socialiste, konkretisht në Tiranë dhe në Shkodër.
Majko është një prej figurave më të spikatura të socialisteve, por që njihet për marrëdhënie të qeta edhe me opozitën.
Më herët, Majko ka qenë dy herë kryeministër, dy herë ministër i Mbrojtjes në qeveritë socialiste të viteve 2000, 2005.
Por, përveç Majkos një tjetër socialist i vjetër që pritet të marrë një detyrë ministri është edhe Fatmir Xhafaj. Nuk dihet çfarë pozicioni do t?i ngarkohet konkretisht, por Xhafaj njihet si një ndër juristët më të zotë në grupin parlamentar socialist dhe ka pasur rol kryesor në fushatën e reformës në drejtësi.
Burime nga kabineti i kryeministrit Rama konfirmuan faktin se ministrat e rinj do të jetë politikë, por nisur nga koha e shkurtër që do të jenë në detyrë atyre nuk do u kërkohet lënia e mandatit të deputetit.
Afrimi i figurave të vjetra në partinë socialiste si Majko e Xhafaj është një lloj afrimi më shumë me bazën, pasi në rastin e Majkos ai është tepër i lidhur me elektoratin rozë./Tv Klan